Në protestën e 17-të të të ashtuquajturit “Revolucioni Flamingo”, kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe opozitës, ka marrë pjesë edhe artisti dhe kantautori Robert Aliaj Dragot, së bashku me vajzën e tij Gala.
Gjatë fjalës së tij, Robert Aliaj ka bërë deklarata të forta ndaj institucioneve dhe klasës politike, duke kujtuar edhe angazhimin e tij në protestën e studentëve në vitin 2018.
Ai u shpreh se historia po përsëritet dhe bëri thirrje për një reagim më të madh nga universitetet, akademia dhe institucionet publike.
“Unë me Galën kemi qenë edhe në protestën e studentëve në 2018-ën. Ne nuk ia dolëm me studentët sepse na i shkatërruan me infiltrime nga të gjitha anët. Sot historia po përsëritet”, deklaroi Aliaj.
Artisti kritikoi atë që e cilësoi si përqendrim të tepërt të pushtetit, duke thënë se vendimmarrja nuk duhet të varet nga një individ i vetëm.
“Ne nuk mund të krijojmë arrogancën sikur ky vend i përket një padroni dhe do të bëhet si thotë ai. Kjo nuk është demokraci”, u shpreh ai.
Më tej, Aliaj iu drejtua edhe përfaqësuesve të shtetit, duke kërkuar që ata të mbajnë përgjegjësi për detyrat që kanë marrë.
“Po të isha unë ministër, nuk do të lejoja një kryeministër të fliste në vendin tim, sepse ky është një precedent shumë i keq”, tha ai.
Fjala e Robert Aliajt në protestë ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa deklaratat e tij janë komentuar gjerësisht në rrjetet sociale.




