Protestat për Zvërnecin vijojnë, reagon Princ Leka: “Natyra është pjesë e identitetit tonë”

Princ Leka via Facebook
Princ Leka via Facebook

Ndërsa protestat kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e 19-të dhe qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ka reaguar edhe Princ Leka.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, duke u ndalur te debati për mbrojtjen e mjedisit, transparencën institucionale dhe zërin e qytetarëve që prej ditësh janë pjesë e protestave.

Princ Leka ka theksuar se natyra shqiptare nuk duhet parë vetëm si një mundësi ekonomike, por si pjesë e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë që u lihet brezave të ardhshëm.

Natyra e Shqipërisë nuk është thjesht një pasuri ekonomike apo një burim zhvillimi. Ajo është pjesë e identitetit tonë, e kujtesës sonë kolektive dhe e trashëgimisë që do t’u lëmë brezave që vijnë”, shkroi ai.

Në reagimin e tij, ai vlerësoi angazhimin e qytetarëve dhe kërkesat e tyre për më shumë dialog dhe vendimmarrje transparente.

Është inkurajuese të shohësh kaq shumë qytetarë që angazhohen, ngrenë pyetje dhe kërkojnë të dëgjohen. Një shoqëri e gjallë nuk është ajo që hesht, por ajo që kujdeset për të ardhmen e saj”, u shpreh Princ Leka.

Më tej, ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për zhvillim, por edhe për institucione më të forta dhe vendime që krijojnë besim te qytetarët.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Princ Leka ishte i pranishëm edhe në protestën e zhvilluar në Tiranë, ku mori pjesë së bashku me bashkëshorten Blerta Celibashi dhe vajzën e tyre Geraldinën.