Elton Tozaj ka bërë një tjetër reagim publik, këtë herë duke ngritur akuza të rënda ndaj kryetarit të Bashkisë së Kolonjës, Erion Isait.
Tozaj fillimisht publikoi në Instagram Story një postim me mbishkrimin “Këtu! Plera e radhës”, ndërsa më pas, gjatë një transmetimi LIVE, përmendi drejtpërdrejt emrin e Isait dhe pretendoi se disponon informacione lidhur me sjelljen e tij ndaj disa punonjësve meshkuj të bashkisë.
“Ti nuk duhet të jesh më kryetar i Bashkisë Ersekë. Ti nuk duhet të jesh më brenda zyrave. E di pse? Ta tregoj unë arsyen. Mirë se erdhët në botën e kryetarit të Bashkisë Kolonjë”, u shpreh Tozaj.
Më tej, ai pretendoi se gjatë publikimit të denoncimeve të tij është përballur me kërcënime dhe tentativa për ta ndalur, duke deklaruar se i janë ofruar edhe shuma parash. Tozaj nuk bëri të ditur identitetin e personave që, sipas tij, e kanë kontaktuar dhe nuk publikoi prova për këto pretendime.
“Kam pasur kërcënime nga më të ndryshmet dhe s’kam për të ndaluar (...) Unë s’kam për t’u shitur. Jam kontaktuar nga këta persona dhe më janë ofruar shuma të mëdha parash dhe jo, nuk i kam pranuar”, deklaroi ai.
Pjesa më e rëndë e deklaratave lidhet me një pretendim për favore seksuale ndaj punonjësve meshkuj. Tozaj tha se njeh edhe identitetet e disa personave që, sipas tij, lidhen me këtë çështje, por zgjodhi të mos publikojë emrat.
“Ky zotëria, Erion Isai, kërkon favore seksuale nga punonjës meshkuj. I di dhe emrat dhe drejtorët, por nuk do të përmend emra”, tha ai gjatë transmetimit.
Në vijim, Tozaj publikoi edhe disa mesazhe private, të cilat pretendon se janë shkëmbyer mes Erion Isait dhe një mashkulli tjetër.

Elton Tozaj via Instagram Story
Deri në këtë moment, këto mbeten deklarata dhe pretendime të bëra publikisht nga Elton Tozaj dhe nuk përbëjnë fakte të konfirmuara.




