Një moment mjaft emocional është regjistruar në “Big Brother VIP Albania”, ku Miri ka hapur zemrën për fillimet e tij në muzikë dhe për një nga humbjet më të mëdha në jetën e tij, atë të Dr. Flori.
Ai tregoi se rrugëtimi i tij artistik nisi në adoleshencë, në një kohë kur vështirësitë ekonomike ishin pjesë e përditshmërisë. Sipas tij, gjithçka filloi në mënyrë shumë modeste, me një magnetofon dhe një kasetë, së bashku me miqtë që më pas do të bëheshin pjesë e grupit të njohur West Side Family.
Miri theksoi se ishte pikërisht Dr. Flori ai që i dha shtysën më të madhe për të ndjekur muzikën, duke qenë jo vetëm këngëtar, por edhe autor tekstesh dhe frymëzim për grupin.
Një nga momentet më të forta të rrëfimit ishte kujtimi i ditës kur mësoi për ndarjen nga jeta të tij. Ai e përshkroi atë si një nga ditët më të errëta, teksa ndodhej jashtë Shqipërisë dhe mori lajmin që nuk donte ta besonte.
Sipas tij, humbja e Florit jo vetëm që i ka lënë një boshllëk të madh, por edhe i ka bërë më të fortë për të vazhduar përpara. Ai shtoi se artisti mbetet një burim frymëzimi për breza dhe një pjesë e pandashme e jetës së tij.
Në fund të këtij momenti emocional, Miri u surprizua në studio nga Roland Hysi dhe Vesa Smolica, me të cilët performoi këngën më të re të grupit, duke e kthyer këtë rrëfim në një moment edhe më të veçantë për publikun.




