Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez pritet të kurorëzojnë lidhjen e tyre me martesë, ndërsa ceremonia ka nisur të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare për shkak të përmasave dhe emrave të njohur që përfliten se mund të marrin pjesë.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, përfshirë “Gshow”, që citon gazetën britanike “The Mirror”, mes personazheve të famshëm që mund të jenë të pranishëm në dasmë përmenden emra nga muzika, sporti dhe kinemaja.
Lista e përfolur përfshin yje si Rihanna, Jennifer Lopez, Drake, Travis Scott, Vin Diesel, si dhe figura të njohura të futbollit si Kylian Mbappé, Vinícius Júnior dhe Rio Ferdinand. Gjithashtu janë përmendur edhe krijuesi i përmbajtjeve IShowSpeed dhe aktorja Ester Expósito.
Ndërkohë, mediat portugeze raportojnë se këngëtari brazilian Luan Santana mund të jetë një nga artistët që do të performojë gjatë ceremonisë. Sipas revistës “Lux”, ai përflitet se mund të jetë një nga atraksionet kryesore të mbrëmjes, me një pagesë të pretenduar prej rreth 257 mijë eurosh. Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në rrjetet sociale kanë qarkulluar gjithashtu emrat e Lionel Messit, Conor McGregorit dhe Khabib Nurmagomedovit si të ftuar të mundshëm, por deri tani nuk ka prova të sigurta që konfirmojnë praninë e tyre.
Pavarësisht zërave dhe raportimeve të shumta, lista zyrtare e të ftuarve dhe artistëve pjesëmarrës ende nuk është bërë publike. Për këtë arsye, shumë nga detajet rreth ceremonisë mbeten ende në nivel spekulimesh mediatike.
Dasma e Cristiano Ronaldos dhe Georgina Rodríguez pritet gjithsesi të jetë një nga ngjarjet më të komentuara të vitit, duke bashkuar vëmendjen e botës së sportit dhe showbiz-it.




