Një moment i pazakontë është regjistruar gjatë transmetimit të fundit të “Top Arena”, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe ndjekësve në rrjetet sociale.
Pas përfundimit të intervistës me të ftuarën Valbona Mhilli, moderatori Edi Manushi iu drejtua ish-banorit të “Big Brother VIP Albania”, Mateo Borri, me një pyetje që ngriti dyshime për gjendjen e tij.
“O zotëri, jam i shqetësuar për shëndetin tënd, ti gjithë kohës qesh. Je mirë tani? Do vazhdosh apo do shkëputesh?”, u shpreh Manushi gjatë transmetimit live.
Mateo u përgjigj shkurt se do të qëndronte në studio deri në pushimin e radhës publicitar, por situata mori një kthesë të papritur.
Moderatori vendosi të ndërhyjë menjëherë, duke e ndërprerë momentin në transmetim dhe duke kërkuar që Mateo të largohej nga studioja.
“Hajde Mateo, një duartrokitje, e përcjellim Mateon. Faleminderit. Është pa qejf pavarësisht buzëqeshjes”, tha Edi Manushi para publikut.
Më pas, ai iu drejtua stafit të prapaskenës duke u kërkuar që të kujdeseshin për ish-banorin dhe ta shoqëronin drejt shtëpisë.
Ende nuk dihet nëse bëhej fjalë për ndonjë problem shëndetësor apo një shqetësim momental, ndërsa situata është komentuar gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë shprehur interes për gjendjen e Mateo Borrit.




