Pas javësh heshtjeje dhe reagimeve të shumta në rrjetet sociale, Dua Lipa ka folur për herë të parë lidhur me debatin mbi mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet ligjore që kanë nxitur protesta në Shqipëri.
Reagimi i artistes vjen në kuadër të një episodi të ri të podcastit Service95 Book Club, ku ajo ka ftuar shkrimtaren dhe akademiken shqiptare Lea Ypi për të diskutuar librin e saj “Free”.
Gjatë bisedës, Dua Lipa nuk u ndal vetëm te historia e Shqipërisë, por komentoi edhe zhvillimet e fundit që lidhen me ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura.
“Nuk mund të flasim për historinë e Shqipërisë pa folur pak për Shqipërinë sot. Ajo që vërtet e gjej shqetësuese është parimi që qeveria mundet thjesht të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik.”
Deklarata e këngëtares vjen në një kohë kur prej javësh në vend janë zhvilluar protesta lidhur me projektet e propozuara për zhvillim në Sazan dhe Zvërnec, si edhe ndryshimet ligjore që kanë ngjallur debat publik.
Intervista e plotë mes Dua Lipës dhe Lea Ypit pritet të publikohet në episodin e radhës të Service95 Book Club, ku dyshja diskuton jo vetëm për librin “Free”, por edhe për çështje që lidhen me shoqërinë, politikën dhe aktualitetin në Shqipëri.
Reagimi i artistes ka tërhequr menjëherë vëmendje në rrjetet sociale, duke u komentuar gjerësisht si qëndrimi i saj i parë publik mbi këtë çështje.




