Videot intime të Adrian Hilës, një këngëtare denoncon në polici: “Kam dyshime për personin që i shpërndau”

Videot intime të Adrian Hilës, një këngëtare denoncon në polici: “Kam dyshime për personin që i shpërndau”

Hetimet për videot intime të Adrian Hilës, të cilat kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjet, kanë sjellë edhe denoncimin e parë nga një prej personave që shfaqen në materialet private.

Sipas raportimit të Top Channel, një këngëtare nga Kosova me inicialet E.A. është paraqitur në polici, ku ka dhënë dëshminë e saj lidhur me rrethanat e publikimit të videove dhe ka denoncuar personin që ajo dyshon se ka shpërndarë materialet.

Në dëshminë e saj, këngëtarja ka përjashtuar Adrian Hilën si personin që mund të ketë publikuar videot. Ajo ka përmendur gjithashtu me emër një person, i cili sipas saj ka qenë ndër të parët që i ka publikuar materialet në portale.

Deri më tani, policia ka marrë katër deklarime në kuadër të hetimeve. Mes personave të pyetur janë tri këngëtare me inicialet E.F., B.M. dhe E.A., si dhe vetë Adrian Hila.

Kompozitori ka pretenduar se pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë në ambientet e tij private janë marrë përmes hakerimit. Ndërkohë, ai po hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “ndërhyrje e padrejtë në jetën private”.

Në kuadër të hetimeve, policia ka kontaktuar edhe një këngëtar të ri me inicialet G.H., i njohur nga pjesëmarrja në një talent show për fëmijë, i cili raportohet se shfaqet në disa prej materialeve. Sipas raportimit, ai ka deklaruar se marrëdhënia ka qenë konsensuale dhe se ka nisur pasi kishte mbushur moshën madhore.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka referuar materialet në Prokurori për disa vepra penale që lidhen me përgjimin e paligjshëm, ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike, keqpërdorimin e pajisjeve dhe ndërhyrjen e padrejtë në jetën private.

Tashmë, hetimet pritet të përcaktojnë si janë marrë materialet nga ambientet private dhe kush qëndron pas shpërndarjes së tyre.