Elton Tozaj ka bërë një tjetër deklaratë lidhur me zhvillimet e fundit që kanë përfshirë Adrian Hilën, duke përmendur këtë herë këngëtaren Marsela Çibukaj dhe pjesëmarrjen e saj në “Kënga Magjike”.
Sipas pretendimit të Tozajt, Marsela Çibukaj është tërhequr nga festivali, ndërsa arsyeja lidhet me faktin se kënga me të cilën ajo do të merrte pjesë është kompozuar nga Adi Hila.
“Marsela Çibukaj largohet nga ‘Kënga Magjike’! Arsyeja? Kënga ka qenë e kompozuar nga Adi Hila”, ka shkruar Tozaj.
Kjo deklaratë vjen pak ditë pasi emri i Adrian Hilës është përmendur gjerësisht në media, pas publikimit online të videove private, çështje për të cilën raportohet se janë përfshirë edhe autoritetet.
Megjithatë, deri më tani, Marsela Çibukaj nuk ka bërë një reagim publik për të konfirmuar tërheqjen nga “Kënga Magjike”, apo nëse një vendim i tillë lidhet me autorësinë e këngës së saj.
Në pritje të një reagimi zyrtar nga këngëtarja, mbetet e paqartë nëse pretendimi i bërë nga Elton Tozaj do të konfirmohet.




