Pas skandalit të videove intime që përfshiu disa personazhe të njohur të artit shqiptar, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka ndërmarrë hapa konkretë për të ndaluar shpërndarjen e materialeve që cenojnë privatësinë e personave të përfshirë.
Kryetarja e institucionit, Armela Krasniqi, ka bërë të ditur se AMA ka marrë dhjetëra ankesa nga artistët e prekur, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar ndërhyrje për ndalimin e publikimeve në rrjetet sociale.
“Pas apelit publik që u bë nga emisioni ‘Tech Talk’, ne në fakt patëm fluks ankesash, të cilat vinin nga qytetarë, nga artistë të prekur, edhe nga shoqëri civile, nga disa organizata”, deklaroi Krasniqi për Top Channel.
Sipas saj, vetëm gjatë kësaj jave janë shqyrtuar 54 ankesa që lidhen me rastin. Pas vlerësimit, të gjitha janë konsideruar në shkelje të legjislacionit dhe të Kodit të Transmetimit.
Ndërhyrja e AMA-s, në bashkëpunim me platformën TikTok, ka sjellë deri tani heqjen e 45 publikimeve, ndërsa nëntë të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.
Krasniqi bëri të ditur gjithashtu se, nga shkurti deri në fillim të tetorit, institucioni ka administruar gjithsej 326 ankesa, nga të cilat 140 janë konstatuar në shkelje dhe 112 publikime janë hequr nga platforma.
Megjithatë, rasti i fundit ka shënuar një rritje të ndjeshme të ankesave, duke bërë që institucioni të ndërhyjë përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me TikTok-un.
Sipas drejtueses së AMA-s, veprimet janë ndërmarrë në një kohë kur kuadri ligjor për monitorimin e platformave digjitale vijon të ketë boshllëqe.
Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje është të kufizohet shpërndarja e materialeve që cenojnë privatësinë dhe mund të shkaktojnë bullizëm apo dëmtime të tjera ndaj personave të përfshirë.
Megjithatë, heqja e 45 publikimeve nuk do të thotë se videot janë zhdukur përfundimisht nga interneti. Po ashtu, ky veprim nuk nënkupton se janë identifikuar personat përgjegjës për sigurimin apo shpërndarjen e materialeve.
Në këtë kuadër, AMA u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë përmbajtje të ngjashme përmes faqes zyrtare të institucionit, ama.gov.al, në mënyrë që të kërkohet heqja e tyre nga platformat përkatëse.
Ndërkohë, hetimi për mënyrën se si janë siguruar dhe publikuar fillimisht videot intime mbetet një çështje më vete, që u takon organeve ligjzbatuese. Heqja e publikimeve nga rrjetet sociale përbën një hap për kufizimin e shpërndarjes së tyre, por nuk zëvendëson hetimin për përgjegjësit e këtij rasti.




