Hetimet lidhur me publikimin e videove intime ku shfaqet kompozitori Adrian Hila vijojnë. Në kuadër të procedurës, Policia ka marrë në pyetje edhe këngëtarin Genti Hoxha, i cili shfaqet në një prej materialeve të publikuara në rrjet.
Sipas të dhënave të bëra publike, Hoxha është kontaktuar nga hetuesit dhe ka dhënë dëshminë e tij lidhur me raportin që ka pasur me kompozitorin. Në deklarimin e tij, ai ka pohuar se marrëdhënia me Hilën ka qenë konsensuale dhe se ka nisur pasi kishte arritur moshën madhore.
Dëshmia e këngëtarit është administruar në kuadër të hetimeve për të zbardhur si janë regjistruar, siguruar dhe shpërndarë materialet private në internet.
Në të njëjtën çështje është paraqitur pranë Policisë edhe këngëtarja nga Kosova, Blerina Matraku. Ajo ka bërë një denoncim dhe, sipas raportimeve, ka identifikuar personin që dyshon se fshihet pas shpërndarjes së videove intime.
Matraku ka mohuar që Adrian Hila të jetë personi që ka publikuar materialet. Ajo është shprehur se përgjegjësia duhet kërkuar te personi që ka regjistruar dhe shpërndarë pa autorizim pamjet private. Gjithashtu, ajo ka mohuar pretendimet se ka kërcënuar persona të përfshirë në këtë çështje.
Ndërkohë, Policia vijon verifikimin e dëshmive të personave që shfaqen në materialet e publikuara, ndërsa hetimet synojnë të përcaktojnë se kush ka pasur akses në pamjet private dhe si ato përfunduan në internet.




