Një moment i veçantë ka emocionuar fansat në koncertin e Shakirës në Madrid, ku këngëtarja shqiptare Dua Lipa u ngjit në skenë si e ftuar speciale.
Takimi mes dy yjeve u shoqërua me komplimente dhe emocione, ndërsa Shakira nuk e fshehu admirimin e saj për Duan.
“Sot deklarohem zyrtarisht fanse e saj”, tha Shakira.
Pas përqafimit në skenë, këngëtarja kolumbiane vijoi me humor:
“Dikush duhet të më pickojë. Po kush është kjo perëndeshë?”.
Më pas, dy artistet performuan së bashku “Antología”, një prej këngëve më ikonike të Shakirës, pjesë e albumit Pies descalzos, të publikuar në vitin 1995.
Ky bashkëpunim në skenë erdhi pas disa momenteve që kishin treguar prej kohësh admirimin e ndërsjellë mes dy këngëtareve.
Në fund të vitit 2025, Dua Lipa kishte interpretuar “Antología” në spanjisht gjatë një koncerti në Bogotá, duke tërhequr edhe vëmendjen e Shakirës, e cila reagoi publikisht ndaj performancës.
Më herët, Shakira kishte shprehur gjithashtu dëshirën për të bashkëpunuar me Duan. Në një intervistë për podcast-in “Suite 205” të Lele Pons, ajo kishte folur me shumë vlerësim për këngëtaren shqiptare dhe për mënyrën se si ajo këndon në spanjisht.
Tashmë, dëshira për të ndarë skenën u bë realitet në Madrid, duke sjellë një nga momentet më të komentuar dhe emocionuese të koncertit.




