Rozana Radi shfaqet me dëmtim në fytyrë, këngëtarja zbulon çfarë i ndodhi (FOTO)

Rozana Radi via Instagram
Rozana Radi via Instagram

Këngëtarja e njohur Rozana Radi ka shqetësuar ndjekësit pasi publikoi disa fotografi ku shihet me një dëmtim në zonën e syrit të djathtë.

Artistja ka treguar se kjo është edhe arsyeja përse kohët e fundit është shfaqur më rrallë në ekran dhe në rrjetet sociale, ku është vënë re se ka mbajtur shpesh syze.

Përmes një postimi në Instastory, Rozana ka shpjeguar se incidenti ndodhi gjatë aktivitetit fizik, kur u rrëshqit dhe u dëmtua në fytyrë.

“Siç mund ta shihni, gjatë aktivitetit fizik, rrëshqita dhe pësova një dëmtim në zonën e syrit të djathtë”, ka shkruar këngëtarja.

Rozana Radi via Instagram Story

Në fotografinë e publikuar, zona përreth syrit duket e ënjtur dhe e skuqur. Rozana ka bërë të ditur se po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe po ndiqet nga specialistët e Spitalit Amerikan.

“Po ndiqem nga mjekët e Spitalit Amerikan e ndërkohë pres të rekuperoj e të vazhdoj aktivitetet e mia”, ka sqaruar ajo.

Pavarësisht dëmtimit, këngëtarja ka dhënë lajme pozitive për gjendjen e saj, duke theksuar se pjesa më e vështirë ka kaluar.

“Me e keqja ka kaluar tashmë. Faleminderit për interesimin”, ka shkruar ajo, duke falënderuar të gjithë ata që janë shqetësuar për të.

Ndërkohë, incidenti nuk e ka penguar të vijojë me angazhimet profesionale. Rozana ka treguar se ka marrë pjesë edhe në xhirimet e planifikuara, ndonëse për një periudhë duhet të shmangë përdorimin e makijazhit.

Sa i përket festivalit “Kënga Magjike”, artistja ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga pjesëmarrja, pavarësisht kohës që mund t’i duhet për rikuperimin e plotë.