Protesta e njohur si “Revolucioni Flamingo” ka marrë një zhvillim të rëndësishëm, pasi Parlamenti Europian ka shprehur mbështetje për shqetësimet e ngritura lidhur me zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Në kuadër të një rezolute për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, eurodeputetët kanë shprehur shqetësim serioz për zhvillimet në këtë zonë dhe kanë kërkuar rishikimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024 për Zonat e Mbrojtura.
Rezoluta kërkon një moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, deri në përputhjen me standardet europiane të mbrojtjes së natyrës.
Ky vendim vjen në një kohë kur protestat kundër ndërtimeve në Vjosë-Nartë kanë vijuar prej javësh, duke u kthyer në një nga lëvizjet më të diskutuara qytetare të kohëve të fundit.
Në dokumentin e miratuar, Parlamenti Europian kërkon që të ndalen ndryshimet që lejojnë zhvillime turistike në zona të ndjeshme natyrore dhe shpreh shqetësim edhe për mënyrën se si Ligji për Investimet Strategjike mund të ndikojë në kontrollet mjedisore.
Sipas organizatave mjedisore BirdLife Europe dhe PPNEA, punimet në zonën e mbrojtur janë kryer pa transparencë të plotë, pa publikimin e projektit dhe pa proceset e nevojshme të vlerësimit mjedisor.
Joni Vorpsi, drejtor i Politikave dhe Avokimit në PPNEA, e ka cilësuar rezolutën si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e Vjosë-Nartës.
Ndërsa përfaqësuesja e BirdLife Europe ka theksuar se mesazhi i Parlamentit Europian është i qartë: mbrojtja e natyrës dhe respektimi i ligjeve mjedisore janë pjesë e rëndësishme e rrugës europiane.
Edhe pse rezoluta nuk ka fuqi të drejtpërdrejtë detyruese, ajo shihet si një sinjal i fortë politik nga institucionet europiane, duke e çuar debatin për Vjosë-Nartën përtej kufijve të Shqipërisë.




