Lori Hoxha ka njoftuar anulimin e festës së përvitshme të Top Channel, e cila ishte planifikuar të mbahej mbrëmjen e sotme, në kuadër të 25-vjetorit të televizionit. Vendimi vjen në një moment të tensionuar, pas zhvillimeve të fundit dhe protestave të zhvilluara në Tiranë.
Lajmi është bërë i ditur përmes një mesazhi drejtuar stafit, ku Hoxha ka shpjeguar se situata aktuale nuk është e përshtatshme për të organizuar një mbrëmje festive, pavarësisht rëndësisë së këtij përvjetori për televizionin.
“Sot kishim planifikuar të festonim ditëlindjen e Tanit, si çdo vit. Dhe kemi çfarë të festojmë, mbi të gjitha njerëzit që e kanë ndërtuar dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë këtë institucion çdo ditë”, shkruan ajo.
Megjithatë, Lori ka theksuar se përgjegjësia dhe respekti ndaj situatës së krijuar kanë qenë vendimtare në marrjen e këtij vendimi.
“Por ka një kohë për të festuar dhe një kohë për të treguar përgjegjësi. Duke parë atmosferën e këtyre ditëve dhe në respekt të asaj që po ndodh, kam vendosur ta anulojmë mbrëmjen e sotme”, vijon mesazhi i saj.
Një tjetër arsye e rëndësishme për këtë vendim është, sipas Hoxhës, mbështetja për gazetarët dhe punonjësit e Top Channel që po raportojnë nga terreni në kushte të vështira, mes tensioneve të krijuara gjatë ditëve të fundit.
“Kjo është edhe një shenjë mbështetjeje për të gjithë kolegët tanë që janë në terren, që raportojnë në kushte të vështira dhe që vazhdojnë të bëjnë punën e tyre me profesionalizëm, pavarësisht presionit dhe tensioneve”, shprehet ajo.
Në mesazhin e saj, Lori ka përcjellë edhe një qëndrim të qartë për 25 vitet e historisë së televizionit, duke nënvizuar se anulimi i festës nuk e zbeh rëndësinë e arritjeve të deritanishme.
“Nuk kemi asgjë për të fshehur dhe asnjë arsye për ta ulur krenarinë tonë. 25 vitet tona meritojnë të festohen. Dhe do të festohen”, shkruan Hoxha.
Ajo e ka përmbyllur mesazhin me fjalë vlerësimi për stafin, duke theksuar se forca e Top Channel nuk qëndron vetëm te festimi i sukseseve, por edhe te aftësia për të përballuar periudhat më të vështira.
“Top Channel nuk e ka treguar forcën duke festuar sukseset e veta, por duke qëndruar në këmbë kur ka qenë më e vështirë. Dhe kështu do të vazhdojmë”, përfundon ajo.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur një datë e re për organizimin e festës së 25-vjetorit të Top Channel.




