Roza Lati ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me rastin e një të mituri që raportohet se është lënduar gjatë ndërhyrjes së policisë në protestën e zhvilluar në Tiranë, duke ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe informacionet e bëra publike pas ngjarjes.
Përmes disa postimeve në Instagram, moderatorja ka shpërndarë dëshminë e një personi që pretendon se ka qenë i pranishëm në momentin e incidentit. Sipas mesazhit të publikuar, i mituri, rreth 15-16 vjeç, po ecte me kufje në vesh kur është thirrur nga efektivët e policisë për kontroll.

Roza Lati via Instagram Story
Sipas kësaj dëshmie, djali është trembur dhe është larguar me vrap, por më pas është kapur nga policët. Personi që pretendon se ka parë ngjarjen pohon se gjatë ndërhyrjes të miturit i është thyer këmba dhe se ai është transportuar me automjet policie, pa pritur mbërritjen e ambulancës.
Pas raportimeve se drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kishte pezulluar disa efektivë, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria kishin nisur hetimet, Roza Lati ka vënë në pikëpyetje vendimin për pezullimin e tyre.
“Pezullon???? Dmth nuk i ka pushuar nga puna???? Thjesht… PEZULLUAR???”, ka shkruar moderatorja në reagimin e saj.

Roza Lati via Instagram Story
Në një tjetër postim, Lati ka publikuar pjesë të një bisede private me një person të identifikuar në Instagram si Olta Ahmetaj, ku ka shprehur shqetësimin se gjendja e të miturit mund të jetë më e rëndë nga sa është raportuar.
“Unë do besoj veç prindërit e fëmijës. Kur t’u dalë ndonjë video vërdallë. Asnjë tjetër”, ka shkruar ajo, duke shprehur mosbesim ndaj informacioneve që qarkullojnë për rastin.

Roza Lati via Instagram Story
Në fund të bisedës, moderatorja ka ngritur edhe një dyshim shqetësues lidhur me fatin e të miturit, duke shkruar: “Nëse ka vdekur, do plasë kuja në vend. We will know”.
Megjithatë, pretendimet e publikuara nga Roza Lati nuk përbëjnë konfirmim për gjendjen shëndetësore të të miturit. Deri në konfirmimin nga burime zyrtare ose familjarët, dyshimet e ngritura në rrjetet sociale mbeten të paverifikuara.




