Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pas deklaratave të Arjan Konomit për përplasjen e ndodhur një ditë më parë në Vuno, duke publikuar një video tjetër nga momenti i incidentit dhe duke kundërshtuar versionin e gazetarit.
Ngjarja u bë publike pasi Arjan Konomi deklaroi se ishte shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Himarës pas një përballjeje me kryeministrin dhe familjen e tij.
Sipas Konomit, gjithçka nisi pasi ai vuri re automjetet e eskortës së Ramës të parkuara në një zonë ku, sipas tij, banorët e Vunoit ishin gjobitur më herët për parkim.
Konomi tha se kishte nisur të filmonte dhe kishte pyetur efektivët se përse nuk po vepronin njësoj edhe ndaj automjeteve të eskortës.
Ai pretendoi gjithashtu se gjatë incidentit pati një debat me Linda Ramën, ndërsa më pas truprojat i kishin marrë telefonin, i kishin fshirë videot dhe ai ishte shoqëruar në polici.
Pas rrëfimit të Konomit, ka ardhur reagimi i Edi Ramës, i cili ka publikuar pamje të tjera nga momenti i incidentit.
Në video, Rama shfaqet së bashku me Linda Ramën dhe djalin e tyre, ndërsa Konomi afrohet duke filmuar dhe ngre çështjen e parkimit dhe gjobave.
Rama pretendon se pamjet e publikuara prej tij tregojnë një situatë krejt ndryshe nga ajo e përshkruar më pas nga Konomi.
“Ja që për fat të mirë ka edhe një video tjetër, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht”, shkruan kryeministri.
Më tej, Rama e akuzon Konomin se ka shtrembëruar ngjarjen dhe përdor një gjuhë të ashpër ndaj tij, duke pretenduar se gazetari ka fyer Linda Ramën dhe e ka bullizuar atë së bashku me djalin e saj.
“Duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës”, shkruan Rama.
Në pamjet e publikuara dëgjohet Konomi duke folur për gjobat dhe automjetet e parkuara, ndërsa në një moment dëgjohet edhe duke pyetur: “Do ca fiq?”.
Konomi kishte treguar më herët se atë ditë kishte dalë për të mbledhur fiq dhe se përplasja kishte ndodhur teksa po kthehej në fshat.
Rama e ka cilësuar videon e publikuar prej tij si një “video demaskuese”, duke pretenduar se ajo rrëzon versionin e Konomit.
“Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës”, shkruan kryeministri.
Në këtë mënyrë, incidenti në Vuno ka tashmë dy versione publike të ngjarjes: atë të Arjan Konomit dhe atë të Edi Ramës, ndërsa të dyja palët pretendojnë se pamjet dhe rrethanat mbështesin versionin e tyre.




