Përkeqësohet situata pas plagosjes në protestë? Zbulohen detaje të reja për 28-vjeçarin…

Përkeqësohet situata pas plagosjes në protestë? Zbulohen detaje të reja për 28-vjeçarin…

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me gjendjen shëndetësore të Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së së shtunës në Tiranë. I riu dyshohet se u godit nga një plumb gome gjatë ndërhyrjes së policisë.

Sipas burimeve të cituara nga BW, 28-vjeçari ka pësuar hemorragji gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të kryer një ditë më parë. Për këtë arsye, mjekët janë detyruar të ndërpresin operacionin.

Për shkak të komplikacioneve të shfaqura, raportohet se ndërhyrja kirurgjikale pritet të vijojë gjatë ditës së sotme, 25 tetor, me qëllim trajtimin e dëmtimit të rëndë në syrin e majtë.

Sipas të njëjtave burime, plumbi i gomës që dyshohet se shkaktoi plagosjen nuk është hequr ende. Mjekët pritet të vijojnë përpjekjet për nxjerrjen e tij gjatë ndërhyrjes së radhës.

Ndërkohë, gazetari Flavio Qarri raportoi më herët se Vishkulli ka humbur shikimin në syrin e majtë. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar mjekësor për shkallën përfundimtare të dëmtimit apo mundësinë e rikuperimit të shikimit.

Erjon Vishkulli është pjesë e grupimit të tifozëve të Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”. Pas plagosjes gjatë protestës, ai u transportua drejt Spitalit të Traumës.

Pamjet e 28-vjeçarit me fytyrën e gjakosur, të shpërndara në rrjetet sociale pas ngjarjes, kanë shkaktuar reagime dhe shqetësim të madh. Ndërsa priten informacione të mëtejshme, gjendja e tij shëndetësore mbetet në qendër të vëmendjes.