Muaj pas përfundimit të “Big Brother VIP Albania 5”, përplasja mes Selin Bollatit dhe Rogert Sterkajt është rikthyer sërish në vëmendje, pas deklaratave të këtij të fundit për një pretendim të fortë lidhur me fitoren e Selinit.
Rogert Sterkaj ka deklaruar se mes tij dhe Selinit kishte ekzistuar një pakt gjatë reality show-t, duke pretenduar gjithashtu se e kishte ndihmuar atë në rrugëtimin drejt fitores së BBVA 5.
Por Selin ka reaguar publikisht ndaj këtyre deklaratave gjatë një telefonate në emisionin “Radar”, ku ishte i ftuar edhe gazetari Elton Tozaj. Ajo i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e Rogertit, duke theksuar se fitoren ia atribuon vetëm vetes dhe mbështetjes së publikut.
“Për mua ka mbaruar ‘Big Brother’ shumë kohë më përpara. Të vërtetat edhe transparenca ime, besoj, dhe gjatë kohës së ‘Big Brother’, por edhe jashtë saj, ka qenë 100% me publikun”, u shpreh Selin.
Më tej, ish-banorja i cilësoi pretendimet si të pavërteta dhe aludime, duke mohuar se ka pasur ndonjë marrëveshje që ka ndikuar në rezultatin e finales.
“Jo, fitoren e kam marrë në forcën time, me veten time, pa ndihma dhe pa backup nga askush”, deklaroi ajo.
Reagimi i Selinit vjen pasi Rogert Sterkaj kishte folur publikisht për një marrëveshje mes tyre gjatë eksperiencës në reality show. Nga ana e saj, Selin duket se e konsideron këtë histori të mbyllur dhe këmbëngul se suksesi në BBVA 5 ishte rezultat i rrugëtimit të saj dhe votave të publikut.
Gjatë së njëjtës bisedë, Selin foli edhe për jetën pas “Big Brother”, marrëdhënien me Gimbon dhe planet e saj të reja televizive.
Madje, ajo la të kuptohet se rikthimi i saj në ekran është shumë pranë, duke shtuar se publiku së shpejti do të mësojë se çfarë e pret.
“Publiku është i parapërgatitur që diçka e re po na pret në televizion, por ende edhe pak fare, shumë pak fare mbetet të jetë një sekret i vogël”, u shpreh Selin.




