Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova” drejt moderimit të formatit?

Jonida Vokshi via Instagram
Jonida Vokshi via Instagram

Pas largimit të Jonida Vokshit nga drejtimi i “Big Brother VIP Kosova”, pritet të ketë ndryshime të rëndësishme në sezonin e pestë të formatit. Tashmë, një nga pikëpyetjet më të mëdha është se kush do t’i bashkohet Alaudin Hamitit në moderim.

Një emër i ri është hedhur në qarkullim këtë të martë nga gazetari Elton Tozaj, i cili gjatë një interviste ngriti mundësinë që Elijona Binakaj të jetë një prej figurave që po konsiderohen për edicionin e ardhshëm.

Elijona ishte një prej protagonisteve të BBVK 4, ku arriti deri në finalen e madhe dhe u rendit në vendin e dytë. Nëse lajmi do të konfirmohej, kalimi nga roli i banores në atë të moderatores do të përbënte një hap të madh në karrierën e saj televizive.

Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga produksioni se Elijona Binakaj do të marrë drejtimin e “Big Brother VIP Kosova 5” krah Alaudin Hamitit.

Deri në një njoftim zyrtar nga Klan Kosova ose vetë Elijonës, emri i saj mbetet vetëm një prej alternativave që po përfliten për moderimin e sezonit të ri.