Nga ekrani në biznesin milionësh? Donald Veshaj synon të ndërtojë kullë 33-katëshe në Vlorë/Dalin dokumentet...

Donald Veshaj via Instagram
Donald Veshaj via Instagram

Një zhvillim surprizues po qarkullon së fundmi në media: Donald Veshaj duket se ka hyrë fuqishëm në botën e pasurive të paluajtshme, me një projekt ambicioz në qytetin bregdetar të Vlorës.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Boldnews.al, moderatori dhe ish-banori i “Big Brother VIP” është pjesë e një kompanie ndërtimi që ka aplikuar për ndërtimin e një kulle gjigante me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë.

Projekti mësohet se do të shërbejë për rezidencë dhe hoteleri, ndërsa kërkesa është dorëzuar për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT), institucioni që drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

Sipas raportimeve, gjithçka nisi në mars të vitit 2024, kur Donald Veshaj dhe Glenis Çobo themeluan kompaninë “DGC” sh.p.k., me fokus në ndërtim dhe investime.

Më pas, në fund të vitit 2024, kompania “Anchor Investment”, në pronësi të Albi Shytit, bleu 50% të aksioneve të shoqërisë, duke hyrë kështu në projektin e madh të ndërtimit.

Kërkesa për kullën është shqyrtuar në mbledhjen e fundit të KKT-së, të mbajtur më 29 prill 2026, por ende nuk dihet nëse projekti ka marrë miratimin përfundimtar.

Tashmë pritet që Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) të publikojë vendimin zyrtar për t’i dhënë ose jo dritën jeshile këtij investimi që ka bërë menjëherë bujë në rrjet dhe media.