Një debat i nxehtë në emisionin Rrethi Katror është kthyer në një nga momentet më të komentuara, pas përplasjes mes Rizarta Hoxha, Bledi Mane dhe Albatros Rexhaj.
Gjithçka nisi kur Rizarta, në rolin e përfaqësueses së rinisë, ngriti shqetësimin për largimin masiv të të rinjve nga vendi, duke theksuar mungesën e meritokracisë dhe mundësive për zhvillim profesional.
Ajo foli hapur për fenomenin e “ikjes së trurit”, duke argumentuar se problemi nuk është vetëm ekonomik, por lidhet edhe me mungesën e vlerësimit dhe perspektivës:
“Nuk largohen vetëm nga mungesa e parave, largohen nga mungesa e meritokracisë dhe nga mungesa e karrierës. Nqs unë do kisha një arsye për t’u larguar nga vendi im, do largohesha sepse nuk vlerësohem… Albatrosi thotë që Shqipëria është zhvilluar, por ndërkohë ne kemi numrin më të vogël të mjekëve në Europë. Ata që nuk e dinë historinë, janë të destinuar ta përsërisin dhe ne po përsërisim një diktaturë të heshtur.” – u shpreh ajo.
Por reagimi nga paneli ishte i ashpër. Albatros Rexhaj e kundërshtoi me tone të drejtpërdrejta, duke përdorur krahasime të pazakonta dhe duke i thënë troç:
“Nëse do me ik, ik. Llafe të kota. ‘Shqipëria’ është e keqe. Ki kujdes moj çfarë flet. Zhvillimi në Shqipëri është i matshëm, i prekshëm. Shko në Maqedoni, koha është ndal. Shko në Ohër, nuk gjen një restorant me një tualet të hajrit. Në anën shqiptare edhe tualeti është ndryshe.”
Ndërkohë, Bledi Mane e cilësoi fjalimin e saj si politik, duke kaluar në një qasje më personale dhe duke kritikuar stilin e jetesës së të rinjve.
“Ti po flet si Jorida Tabaku para komisionit parlamentar… Po ik mi goc, pse nuk ikën ti personalisht? Këtej nxirrni sushi, këtej shani Shqipërinë. Këtej në plazhet e Dhërmiut, këtej shani Shqipërinë.”
Debati u kthye shpejt nga një diskutim mbi probleme reale shoqërore në një përplasje të fortë mes gjeneratave, ku sipas shumë reagimeve online, mungoi një përgjigje konkrete për çështjet e ngritura.
Ky moment ka ndezur rrjetin, duke hapur një diskutim më të gjerë mbi mënyrën si trajtohen kritikat e të rinjve dhe nëse përgjigjja “ik nëse s’të pëlqen” është reflektim i një problemi më të thellë në shoqëri.




