Një deklaratë e fortë nga Robert Aliaj ka nxitur debat të gjerë në rrjet, pasi ai ka komentuar hapur pjesëmarrjen e poetes Mimoza Ahmeti në Ferma VIP.
Gjatë një interviste, Aliaj u shpreh kritik ndaj këtij vendimi, duke theksuar se sipas tij, përfshirja në një format të tillë përbën kompromis me vlerat intelektuale. Ai deklaroi se të qenit poet nuk garanton domosdoshmërisht statusin e intelektualit dhe shtoi se, në këndvështrimin e tij, një figurë publike që ka ndërtuar një profil artistik nuk duhet të “shitet për lekë”.
Sipas tij, intelektuali është një zgjedhje jetësore dhe nuk duhet të bëjë kompromis me atë që ai e konsideron vulgaritet, duke nënvizuar se dallimi qëndron pikërisht te refuzimi për t’u bërë pjesë e asaj që ai e cilëson si “llum”.
“Të jesh poet nuk është kusht se je intelektual. Këtë duhet ta ndajmë! Intelektualët nuk bëjnë kompromise me vulgaritetin. Intelektuali është një zgjedhje në jetë, është si të thuash ADN-ja jote! Nuk bën dot se duan të tjerët të bëhesh si të tjerët. Aty dallohet një intelektual! Nuk duhet të jetë pjesë e llumit. Për mua nuk shkon një njeri që ka ndërtuar diçka në publik që të shitesh për lekë”, tha ai.
Këto komente vijnë në një moment kur Mimoza Ahmeti është bërë pjesë e kastit të Ferma VIP, një zhvillim që ka rikthyer figurën e saj në qendër të vëmendjes publike dhe ka ndarë opinionin. Disa e konsiderojnë këtë si një zgjedhje personale dhe profesionale, ndërsa të tjerë e shohin si një largim nga identiteti i saj artistik.




