Meridian Ramçaj ka folur për gjendjen e Monika Lubonjës, pas përfshirjes së emrit të aktores në diskutimet që kanë shpërthyer në rrjet pas publikimit të materialeve private.
Ramçaj, i cili e njeh prej vitesh Lubonjën, ka treguar se ka komunikuar personalisht me të dhe se komentet e shumta në rrjetet sociale kanë ndikuar në gjendjen e saj emocionale.
“Unë kam folur me Monikën, gjendja e saj është e rënduar totalisht, psikologjikisht, emocionalisht. Normalisht të vrasin fjalët e publikut”, u shpreh ai.
Sipas tij, një nga problemet kryesore në raste të tilla është mënyra se si publiku arrin në përfundime të menjëhershme, pa pritur që të sqarohen të gjitha rrethanat.
“Ne jemi një popull që alfabetin e kemi A dhe ZH, nuk kemi ABC, nuk i marrim fare shkronjat me radhë, por duam të kalojmë direkt te ZH-ja”, deklaroi Ramçaj, duke kritikuar gjykimet e shpejta.
Por miku i aktores ka zbuluar edhe një detaj që, sipas tij, tregon një tjetër anë të karakterit të saj.
Pavarësisht gjendjes së vështirë emocionale, Lubonja vazhdon të interesohet për njerëzit përreth saj dhe problemet e tyre.
“Edhe në këtë gjendje që është Monika, ajo prapë pyet për të tjerët, shqetësohet për të tjerët. Kjo është diçka që ndoshta njerëzit nuk e dinë për të”, tregoi Ramçaj.
Ai shtoi se nuk kishte dashur ta pyeste aktoren në detaje rreth situatës, por gjatë komunikimit kishte vënë re ngarkesën e saj emocionale.
“Unë nuk e kam pyetur, vetëm e pashë që nga ana emocionale ishte shumë e rënduar”, tregoi ai.
Ramçaj ka folur gjithashtu për rëndësinë e denoncimit në institucionet përkatëse, duke bërë thirrje që personat e prekur nga publikimi i materialeve private të kërkojnë ndihmë dhe të ndjekin rrugën ligjore.
“Unë mendoj që ata duhet të marrin guximin, të shkojnë të bëjnë denoncimin. Normalisht duhet ta kishin bërë një denoncim”, u shpreh ai.
Në fund, ai vuri në dukje edhe nevojën për mbështetje institucionale dhe sociale për personat që përballen me pasojat e publikimit të materialeve private.




