Hyrja e konkurrentes së re, Klevisa, ka tërhequr menjëherë vëmendje, sidomos për afërsinë e saj të menjëhershme me Indriti, i cili deri tani ishte përfolur për raportin me Vanesën.
Por një bisedë e zhvilluar në oborrin e fermës ka zbuluar se dyshja kanë pasur një njohje të hershme jashtë kamerave.
Teksa kujtonin periudhën kur ndodheshin në Itali, Klevisa i solli në vëmendje Indritit një sfilatë mode ku kishin marrë pjesë të dy.
“Më duket kemi dhe foto bashkë”, i tha ajo, ndërsa Indriti konfirmoi menjëherë:
“Po kemi”.
Klevisa tregoi se e kishte harruar plotësisht që njihte Indritin nga jashtë programit, duke shtuar se kujtesa iu rikthye vetëm gjatë bisedës mes tyre.
Ky zbulim ka ndezur menjëherë diskutime në rrjetet sociale, ku ndjekësit po aludojnë nëse kjo njohje e vjetër do të ndikojë në raportin e tyre brenda lojës dhe si mund të pritet kjo situatë nga Vanesa jashtë shtëpisë.




