Kejvina Kthella denoncon shoqen në polici: Pretendon se nuk i ktheu 8 mijë euro...

Kejvina Kthella via Instagram
Kejvina Kthella via Instagram

Kejvina Kthella është përfshirë në një çështje që tashmë po hetohet nga organet e drejtësisë, pasi ka kallëzuar një shoqe të saj për mashtrim financiar.

Sipas raportimeve, modelja ka deklaruar në polici se i kishte lënë në ruajtje 8 mijë euro një mikeshës së afërt, identifikuar si Anela Osmani nga Gramshi, por më pas nuk ka mundur t’i marrë më paratë.

Sipas dëshmisë së saj, shuma ishte kursyer ndër vite dhe ia kishte besuar shoqes përpara se të largohej për disa ditë pranë familjes në Lezhë. Arsyeja, sipas pretendimeve të modeles, ishte fakti se në banesën e saj në Tiranë do të hynte një pastruese.

Pas rikthimit, Kejvina pretendon se nuk ka marrë më shumën e parave. Në dosjen hetimore thuhet se fillimisht shoqja i ka treguar se paratë ndodheshin në një kasafortë, ndërsa më pas ka pretenduar se kishte harruar kodin dhe nuk arrinte ta hapte.

Pas kallëzimit, Prokuroria e Tiranës ka nisur procedim penal për veprën e dyshuar të mashtrimit. Ndërkohë, gjykata ka pranuar kërkesën për masën “detyrim paraqitje” ndaj të dyshuarës.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të Anela Osmanit kanë kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se sipas tyre nuk kemi të bëjmë me një vepër penale.

Hetimet për këtë rast janë ende në vijim.