Pak para se të nisë aventurën e saj si moderatore e sezonit të shtatë të “Për’puthen”, Heidi Baci ka zbuluar se cila prej ish-drejtuesve të formatit ka qenë e preferuara e saj.
E ftuar në “Wake Up”, Heidi u përball me një pyetje plot humor nga Blendi Salaj. Moderatori e pyeti se kë do të zgjidhte për të ndarë shtratin nëse, për shkak të një gabimi me rezervimin e hotelit, do t’i duhej të qëndronte me Ori Nebijajn, Bora Zemanin apo Megi Pojanin.
Pa shumë hezitim, Heidi zgjodhi Megi Pojanin, duke bërë edhe një batutë për situatën:
“Mendoj me Megin, të më jepte ndonjë këshillë. Mirë do të ishte, motër. Hajde këtu”, tha ajo duke qeshur.
Por zgjedhja nuk ishte thjesht pjesë e lojës. Heidi tregoi se e vlerëson shumë stilin e moderimit të Megi Pojanit në “Për’puthen”, veçanërisht energjinë dhe spontanitetin që ajo sillte në ekran.
“Moderimi i saj në atë emision më pëlqen shumë. Ka shumë energji, ka shumë ngjyra. Është një nga ato personazhet avangardë që thyen tabu, që nuk i intereson dhe hidhet, provon, rrezikon. Mua kjo gjë më pëlqen”, u shpreh Baci.
Heidi pranoi se në karakter është më e përmbajtur, ndaj drejtimi i një formati dinamik si “Për’puthen” përbën një sfidë të re për të. Pikërisht për këtë arsye, ajo duket se admiron te Megi disa tipare që ndryshojnë nga personaliteti i saj.
Në sezonin e shtatë të “Për’puthen”, Heidi Baci do të jetë në krye të programit, ndërsa krah saj si opinionistë do të jenë Erjola Doçi dhe Drini Zeqo.




