Hati bën një ofertë të papritur për protestuesit në Shqipëri: “Jam gati t’ju ndihmoj financiarisht”

Hatixhe Brika via Instagram
Hatixhe Brika via Instagram

Influencerja e njohur Hati ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për studentët dhe qytetarët që po marrin pjesë në protestat në Shqipëri, duke deklaruar se është e gatshme t’i ndihmojë edhe financiarisht.

Menjëherë pas kthimit nga pushimet, ajo ka publikuar një video në rrjetet sociale, përmes së cilës u është drejtuar protestuesve për t’u shprehur solidaritetin.

“Njerëz, unë sapo kam ardhur në Shqipëri nga pushimet. Fjalë për fjalë jam futur në shtëpi, është ora 7:00 e pasdites dhe po e bëj këtë video për t’ju treguar që jam me ju”, është shprehur Hati.

Por influencerja nuk është mjaftuar vetëm me një mesazh mbështetjeje. Ajo ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë ndihmë financiare për protestuesit dhe studentët, përfshirë sigurimin e mjeteve që, sipas saj, u nevojiten për t’u mbrojtur gjatë tubimeve.

“Jam me ju, t’i ndihmoj financiarisht të gjithë protestuesit dhe studentët për të marrë të gjitha mjetet e nevojshme për t’u mbrojtur dhe për të mbështetur protestën. Ju lutem, kontaktoni për çdo nevojë që mund të keni, jam e gatshme të ndihmoj”, ka deklaruar ajo.

Instagram Reel
DemmqYlIkHQ

Reagimi i Hati-t vjen në ditën e pestë të protestave, të cilat nisën nga pakënaqësitë e studentëve lidhur me kushtet në arsim dhe mundësitë e punësimit, për t’u shndërruar më pas në tubime më të gjera kundër qeverisë së Edi Ramës.

Gjatë ditëve të fundit janë raportuar edhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar.

Megjithatë, deri më tani nuk ka informacion nëse influencerja e ka konkretizuar ofertën e saj apo nëse ndihma financiare ka nisur të shpërndahet. Gatishmëria e saj për të mbështetur protestuesit është bërë publike përmes videos së fundit.