Një moment emocionues dhe i veçantë ka shënuar koncertin e Gjestit në Pejë, qytetin e tij të lindjes, ku artisti i ka dhuruar një fansi të vogël një kujtim që me siguri nuk do ta harrojë.
Mes turmës së madhe të fansave, vëmendjen e Gjestit e tërhoqi një djalosh i vogël, i cili nuk e fshihte emocionin dhe admirimin për këngëtarin.
Pa hezituar, Gjesti vendosi ta ftojë fansin në skenë, duke e kthyer takimin e tyre në një nga momentet më të bukura të mbrëmjes.
Edhe vetë artisti u shfaq i emocionuar nga pritja në vendlindje dhe dashuria që mori nga publiku.
“Jam shumë krenar me dashurinë që marr”, u shpreh Gjesti nga skena.
Por surpriza nuk përfundoi me ftesën në skenë. Në një gjest spontan, Gjesti hoqi njërin prej byzylykëve të tij dhe ia dhuroi fansit të vogël si kujtim.
Menjëherë pas kësaj, të dy u përqafuan mes duartrokitjeve të publikut, ndërsa djaloshi dukej i emocionuar nga momenti i veçantë që sapo kishte përjetuar.
Pamjet e takimit janë shpërndarë edhe në rrjetet sociale, ku kanë tërhequr vëmendjen e fansave.
Për vogëlushin, ajo që nisi si një mbrëmje duke ndjekur nga turma artistin e tij të preferuar, përfundoi në skenë, me një përqafim dhe një dhuratë të marrë direkt nga dora e Gjestit.




