Françeska Murati ka reaguar publikisht pas aludimeve për jetën e saj private, që kanë qarkulluar së fundmi në rrjet, ku pretendohej se pas ndarjes nga ish-bashkëshorti ajo mund të kishte nisur një romancë me një burrë të martuar.
Debati mori vëmendje pasi gazetari Elton Tozaj publikoi në Instagram një bisedë që pretendohet se është zhvilluar mes Françeskës dhe një ndjekëseje të saj. Krahas pamjeve, gazetari shkroi me ironi: “Më pëlqen komunikimi kaq i ëmbël i influencereve tona me vajzat në Instagram! Dhe për më tepër më vdes kur i thotë s’ti hedh njeri sytë!”.
Në bisedën e publikuar, disa prej mesazheve të ndjekëses u interpretuan në rrjet si një referencë për jetën sentimentale të Françeskës. Ndër to ishte edhe shprehja: “Ke të drejtë, burrat e martuar nuk më shohin”, si dhe: “As unë p.sh. nuk e lë burrin tim për një burrë të martuar”.
Këto deklarata shkaktuan menjëherë spekulime për një lidhje të mundshme me një burrë të martuar. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka asnjë provë publike që të vërtetojë një pretendim të tillë.
Pas përhapjes së lajmit, Françeska Murati ka vendosur të reagojë përmes një komenti në Instagram, duke i mohuar kategorikisht aludimet.
“O Zot, ça janë këto gjëra të tmerrshme me AI. Latë nam me këto mashtrime”, shkroi ajo.

Me këtë reagim, ish-banorja e “Big Brother VIP Albania” pretendon se materiali që po qarkullon është i manipuluar me Inteligjencën Artificiale (AI) dhe i cilëson pretendimet si mashtrime.
Ky nuk është rasti i parë që emri i Françeskës përfshihet në aludime për një lidhje të re. Vetëm pak javë më parë, Elton Tozaj deklaroi se ajo ishte kthyer nga Londra në Shqipëri për një person tjetër.
Edhe atëherë, Françeska reagoi duke i kërkuar gazetarit të paraqiste fakte dhe duke i cilësuar deklaratat si të pavërteta.
Për momentin, Françeska nuk ka konfirmuar asnjë lidhje të re, ndërsa pretendimi se ajo është në një romancë me një burrë të martuar mbetet i pakonfirmuar dhe është kundërshtuar publikisht nga vetë ajo.




