Një moment i transmetuar në “Top Arena” ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë Joz Marku, Brikena Selmani dhe Mateo Borri.
I ftuar në emision, Jozi u përball me disa batuta nga Brikena, ndërsa në studio ndodhej edhe Mateo, çifti për të cilin prej ditësh po qarkullojnë aludime për një krisje në marrëdhënien e tyre.
Gjatë bisedës, shkëmbimi i replikave mes Jozit dhe Brikenës u interpretua nga shumë ndjekës si një flirt i lehtë.
“Na kanë shkruajtur shumë goca që kanë dashur të të pyesin: A është Jozi single?”, e pyeti Brikena këngëtarin.
“Single jam për momentin. Po ti?”, iu përgjigj Jozi me buzëqeshje.
Brikena vijoi me humor: “Mesa di unë, i bëj unë pyetjet”, ndërsa Jozi ia ktheu: “Kur është ai mysafiri pak më ndryshe, duhet edhe ti të përgjigjesh”.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen nuk ishte vetëm biseda mes dyshes, por edhe sjellja e Mateos gjatë këtij momenti.
Kamerat e kapën atë në sfond, ndërsa ai qëndroi i qetë dhe nuk reagoi ndaj shkëmbimit të batutave mes Jozit dhe Brikenës.
Videoja po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale, ku komentuesit po diskutojnë si për afrimitetin mes dy personazheve, ashtu edhe për reagimin e heshtur të Mateos.




