Dy ditë pas postimit të Ledion Liços, zjarr në Top Albania Radio! Reagon televizioni…

Dy ditë pas postimit të Ledion Liços, zjarr në Top Albania Radio! Reagon televizioni…

Një zjarr i papritur në ambientet e Top Albania Radio ka ndërprerë transmetimin e emisionit të mëngjesit “Wake Up”, duke bërë që programi të mos transmetohet sipas planifikimit.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi të publikuar nga vetë emisioni, ku sqarohet se ndërprerja ka ardhur si pasojë e incidentit.

“Për shkak të një zjarri të papritur në ambientet e Top Albania Radio, emisioni ‘Wake Up’ nuk do të transmetohet sot”, thuhet në njoftim.

Për fat të mirë, sipas stafit, nuk ka persona të lënduar dhe të gjithë punonjësit ndodhen në kushte të sigurta.

“I gjithë stafi është mirë dhe ndodhet në kushte të sigurta. Ju falënderojmë për mirëkuptimin!”, vijon reagimi.

Ngjarja vjen vetëm dy ditë pas një postimi të Ledion Liços, moderatorit të njohur të Top Channel, i cili tërhoqi vëmendjen në rrjetet sociale në një periudhë të shoqëruar me protesta studentore kundër qeverisë.

Liço kishte publikuar në Instagram një sekuencë nga filmi “Shutter Island”, me protagonist Leonardo DiCaprion, ku shtrohej pyetja: “Çfarë do të ishte më keq: të jetosh si përbindësh apo të vdesësh si njeri i mirë?”.

Postimi u interpretua nga disa përdorues si një mesazh i mundshëm i tërthortë për situatën politike dhe kryeministrin Edi Rama. Megjithatë, moderatori nuk e përmendi drejtpërdrejt kryeministrin dhe nuk dha ndonjë shpjegim politik për publikimin.

Përkimi kohor mes postimit dhe zjarrit në ambientet e radios ka tërhequr vëmendje, por nuk ka të dhëna që të tregojnë se dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Ndërkohë, në njoftimin e “Wake Up” nuk janë dhënë ende detaje mbi shkaqet e zjarrit, dëmet e mundshme materiale apo kohën kur emisioni do të rikthehet në transmetim normal.