Prej muajsh përflitej se reperi amerikan do të vizitonte kryeqytetin shqiptar gjatë korrikut, dhe tashmë kjo është konfirmuar zyrtarisht përmes një publikimi të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale.
Artistit i është caktuar data 11 korrik për performancën në Tiranë, një datë që përkon me anulimin e koncertit të tij në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të Wireless Festival. Vizita vjen si pjesë e turneut promovues të albumit të tij më të fundit, Bully.
Koncerti do të zhvillohet në Eagle Stadium, një stadium i përkohshëm që do të ngrihet në periferi të Tiranës me kapacitet rreth 30 mijë persona. Ndërtimi i tij do të realizohet nga kompani që operojnë në projekte të lidhura me garat e Formula 1, dhe pritet të përfshijë transportin e materialeve me qindra kamionë. Kostoja e stadiumit llogaritet mes 6 dhe 8 milionë euro, ndërsa i gjithë eventi pritet të arrijë rreth 10 milionë euro.
ÇMIMET E BILETAVE pritet të jenë nga 250€ deri në 1000€ për paketat VIP. Shitjet do të hapen më 5 maj fillimisht për përdorues të regjistruar, dhe një ditë më pas për publikun e gjerë.
Ky koncert e pozicionon Tiranën mes qyteteve evropiane që presin evente të përmasave të mëdha në vitin 2026, duke shërbyer gjithashtu si një provë për kapacitetet organizative, infrastrukturore dhe teknike të vendit.
Nga ana tjetër, mbetet për t’u parë reagimi i grupeve ndërkombëtare, pasi më herët koncertet e artistit janë anuluar në disa vende për shkak të deklaratave të tij të diskutueshme.
/theandidote




