Reperi Capital T ka reaguar përmes një videoje në rrjetet sociale, pas publikimit të audio-incizimit të një telefonate me një person që prezantohet si oficer i Policisë së Tiranës. Artisti u është drejtuar personave që e kanë telefonuar të shqetësuar për të, duke i siguruar se është mirë dhe se së shpejti do të rikthehet në Shqipëri.
Telefonata u bë publike pas reagimit të reperit në mbështetje të protestave studentore, duke tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale.
Në videon e tij, Capital T ka rikonfirmuar mbështetjen për studentët dhe protestuesit, duke theksuar se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar dhe se do të vazhdojë të përkrahë njerëzit që ngrihen për të drejtat e tyre, veçanërisht kur, sipas tij, përballen me padrejtësi.
“Jam në suport të studentave, në suport të njerëzve të mi për çdo lloj kauze”, shprehet reperi, duke bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga qëndrimi i tij.
Artisti tregon gjithashtu se pamjet nga protestat e kanë prekur emocionalisht dhe se nuk mund të qëndrojë indiferent përballë asaj që po ndodh. Ai thekson se ndihet i lidhur me njerëzit që e kanë mbështetur ndër vite dhe se kjo është një nga arsyet pse zgjedh të flasë publikisht.
Capital T ka rrëfyer edhe se situata në Shqipëri po ndikon në gjendjen e tij emocionale dhe në angazhimet muzikore. Sipas tij, është e vështirë të shijojë muzikën apo koncertet, ndërsa sheh pamjet nga protestat dhe atë që ai e cilëson si dhunë ndaj studentëve.
Në fund të videos, reperi ka falënderuar të gjithë ata që e kanë telefonuar për t'u interesuar për gjendjen e tij, duke përcjellë një mesazh qetësues.
“Gjithçka është ok, shihemi shpejt në Shqipni, ju dua”, përfundon Capital T, duke konfirmuar se do të vazhdojë të mbështesë kauzat që i konsideron të drejta.




