Bleona Qereti shënon një tjetër arritje ndërkombëtare: Bëhet anëtare votuese e Grammy Awards!

Bleona Qereti via Instagram
Bleona Qereti via Instagram

Bleona Qereti ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare, duke u bërë zyrtarisht anëtare votuese e Recording Academy, institucioni që organizon dhe administron Grammy Awards, çmimet më prestigjioze në industrinë muzikore.

Lajmin e bëri të ditur vetë Bleona përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë si një nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të saj profesional. Me këtë status të ri, artistja do të ketë të drejtën të marrë pjesë në procesin e votimit për përzgjedhjen e kandidatëve dhe fituesve të Grammy Awards.

Këngëtarja e konsideron këtë një arritje me vlerë të veçantë, duke theksuar se e ka ndërtuar karrierën e saj si artiste e pavarur, pa mbështetjen e shtëpive të mëdha diskografike.

Bleona rikujtoi se rrugëtimi i saj nisi nga Shqipëria, në një kohë kur ndërtimi i një karriere ndërkombëtare dukej një sfidë e madhe. Sipas saj, çdo sukses është fryt i punës së palodhur, këmbënguljes, mbështetjes së familjes dhe besimit të fansave.

“Ky nuk është vetëm një moment historik për mua, por edhe për çdo artist të pavarur që vazhdon të besojë te ëndrrat e tij, pavarësisht pengesave”, u shpreh Bleona Qereti.

Në fund të reagimit të saj, artistja falënderoi Recording Academy për besimin dhe vlerësimin, duke theksuar se ndihet e nderuar që tashmë është pjesë e komunitetit që kontribuon në përzgjedhjen dhe vlerësimin e artistëve dhe projekteve më të rëndësishme të industrisë muzikore.