Edicioni i pestë i “Big Brother VIP Kosova” po afron gjithnjë e më shumë, ndërsa përgatitjet për rikthimin e formatit në ekran duket se kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Një tjetër sinjal për nisjen e sezonit ka ardhur nga moderatori Alaudin Hamiti, i cili ka ndarë një InstaStory ku ka zbuluar se kanë përfunduar xhirimet e klipeve për edicionin e ri.

Alaudin Hamiti via Instagram Story
Ky zhvillim ka shtuar edhe më shumë kuriozitetin e publikut për premierën e BBVK5, ndërsa produksioni duket se po finalizon një nga një detajet e fundit për rikthimin e spektaklit.
Përgatitjet për Big Brother VIP Kosova 5 kanë nisur prej muajsh. Në fund të gushtit, Alaudini kishte ndarë edhe një pamje nga procesi i përzgjedhjes së kastit, duke mbuluar me “blur” portretet e personazheve. Në atë moment, ai e kishte cilësuar grupin e përzgjedhur si “kastin më të fuqishëm deri më sot”.
Megjithëse data e premierës ende nuk është bërë publike, përfundimi i xhirimeve të klipeve është një tjetër tregues se BBVK5 po i afrohet ekranit.
Tashmë, vëmendja e publikut është te dy pikëpyetjet e mëdha: kur nis spektakli dhe cilët do të jenë banorët që do të hyjnë në shtëpinë më të komentuar të Kosovës?




