Barbara Palvin dhe Dylan Sprouse kanë përjetuar një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tyre, pasi janë bërë prindër për herë të parë. Çifti ka mirëpritur në jetë një vajzë, ndërsa lajmin e ëmbël e ka ndarë vetë modelja përmes rrjeteve sociale.
Barbara Palvin, 32 vjeçe, publikoi në Instagram një fotografi familjare ku shfaqet së bashku me bashkëshortin e saj dhe vogëlushen. Vajza ka ardhur në jetë më 7 shtator, ndërsa modelja e shoqëroi postimin me një dedikim me humor:
“Këtë vit e morëm Ditën e Punëtorëve fjalë për fjalë.”
Në imazhin e publikuar, Barbara, Dylan dhe vajza e tyre shfaqen të veshur me fanella të Los Angeles Dodgers, duke i dhënë një tjetër detaj të veçantë njoftimit për zgjerimin e familjes.
Lajmi vjen disa muaj pasi çifti bëri të ditur se ishte në pritje të fëmijës së parë. Në maj, Palvin u shfaq në Festivalin e Filmit në Kanë me barkun e rrumbullakosur, duke konfirmuar publikisht shtatzëninë.
Pak më vonë, në korrik, çifti zbuloi edhe se po priste një vajzë. Gjatë episodit të parë të podcast-it “Wildmen”, Dylan Sprouse foli me emocion për lajmin dhe tregoi se ishte shumë i lumtur për faktin se do të bëhej baba i një vajze.
“Do të kemi një vajzë. Jam shumë i emocionuar që do të jem baba i një vajze”, u shpreh aktori, duke shtuar me shaka se mezi priste edhe momentet e tyre të përbashkëta, si festat me çaj.
Ndërkohë, Barbara Palvin kishte treguar më herët se ajo dhe Dylan ende nuk kishin vendosur përfundimisht për emrin e vogëlushes. Gjatë shtatzënisë, ata i ishin referuar me përkëdheli si “principessa”, që në italisht do të thotë “princeshë”.
Historia e dashurisë së Barbara Palvin dhe Dylan Sprouse nisi në vitin 2018, pasi ata ishin takuar për herë të parë në një festë në vitin 2017. Pas disa vitesh lidhje, Sprouse i propozoi modeles në vitin 2022, ndërsa fejesën e bënë publike në vitin 2023.
Në korrik të po atij viti, çifti kurorëzoi dashurinë me martesë në Hungari, vendlindjen e Palvin. Tashmë, tre vite pas martesës, Barbara dhe Dylan kanë nisur një kapitull të ri, këtë herë në rolin e prindërve.




