Ish-deputeti Eduart Ndocaj ka tërhequr vëmendjen me një deklaratë të fortë në rrjetet sociale, ku ka ofruar shpërblime financiare për këdo që hedh në koshin e plehrave një përfaqësues të politikës shqiptare.
Reagimi i tij vjen në një moment kur vendi po përballet me protestat studentore dhe reagimet e shumta lidhur me pretendimet për përdorim të dhunës nga policia gjatë demonstratave.
Në videon e publikuar, Ndocaj i referohet një pretendimi për shpërblime financiare ndaj efektivëve të policisë që ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve.
“Kryeministri i Shqipërisë ka ofruar 2500 euro policit që dhunon një demonstrues”, shprehet ai në nisje të videos.
Më pas, ish-deputeti bën një deklaratë të drejtpërdrejtë, duke premtuar 5 mijë euro për këdo që hedh një deputet të Partisë Socialiste në koshin e plehrave, me kusht që veprimi të dokumentohet me video.
“Unë dua t’ju ofroj 5 mijë euro kush hedh një deputet të Partisë Socialiste në koshin e plehrave. Ma çoni një video dhe llogarinë bankare dhe për mua jeni në rregull”, deklaron Ndocaj.
Ai e zgjeron më tej ofertën edhe për deputetët e Partisë Demokratike, ndërsa për ministrat premton një shumë edhe më të lartë.
“5 mijë euro keni për një deputet të PS apo PD. 10 mijë euro për çdo ministër në koshin e plehrave”, shprehet ish-deputeti.
Deklarata e Ndocajt vjen në një klimë të tensionuar politike, ku protestat e studentëve dhe veprimet e policisë kanë nxitur reagime të shumta nga qytetarët, personazhet publike dhe përfaqësuesit politikë.




