E ftuar në emisionin “Live me Luizin”, këngëtarja Eli Fara ndau me publikun një histori mjaft të pazakontë nga një dasmë ku kishte qenë e ftuar, por që përfundoi duke u larguar shumë më herët nga sa kishte menduar.
Fara tregoi se dita kishte nisur krejt normalisht. Ajo ishte përgatitur që në mëngjes, kishte shkuar në parukeri, ishte veshur dhe më pas ishte nisur drejt dasmës, e cila zhvillohej në zonën pranë aeroportit.
Megjithatë, sapo mbërriti në ambientin e festës, këngëtarja vuri re diçka që e habiti. Sipas saj, një familjar i çiftit kishte marrë përsipër të drejtonte festën dhe u jepte vazhdimisht udhëzime të ftuarve se kur duhej të ngriheshin e të kërcenin.
“Shkova për një dasmë që organizohej në drekë. U zgjova që në mëngjes, ishte verë, shkova në parukeri, u bëra gati dhe u nisa. Kur mbërrita, pashë muzikantët dhe njerëzit. I pyeta nëse ishin të sigurt që isha në dasmën e duhur”, rrëfeu ajo.
Por situata nuk ndryshoi as pas disa minutash. Përkundrazi, sipas Eli Farës, personi në fjalë vazhdonte t'u tregonte të ftuarve se çfarë duhej të bënin.
“Pas 10 minutash filloi përsëri: ‘Çohu ti!’. Në atë moment u thashë muzikantëve se do të dilja pak jashtë. Mora makinën dhe ika. Kaq ishte dasma”, tregoi këngëtarja me humor.




