Kompozitori Adrian Hila është paraqitur në Policinë e Tiranës, ku po merret në pyetje lidhur me videot intime që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari Eraldo Harlicaj në emisionin “Top Story”, i cili raportoi se për çështjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, ndërsa verifikimet po zhvillohen edhe në kuadër të krimit kibernetik.
“Hila është paraqitur. Ndodhet brenda Policisë së Tiranës dhe po deponon për ngjarjen. Është ngritur një grup hetimor në lidhje me krimin kibernetik, për faktin e një kamere të fshehtë, ekzistencën e saj”, deklaroi Harlicaj.
Një nga pistat që po verifikohet lidhet me pretendimet për ekzistencën e një kamere të fshehtë, si edhe me mënyrën se si materialet kanë përfunduar online dhe më pas janë shpërndarë në rrjete sociale.
Sipas raportimit të gazetarit, deri në këtë fazë, Hila i qëndron versionit të deklaruar më herët, se videot janë siguruar përmes një ndërhyrjeje të paligjshme në pajisjet ose të dhënat e tij.
“Deri më tani bëjnë me dije që Hila i qëndron faktit që videot janë hakeruar”, u shpreh Harlicaj.
Deri tani nuk është bërë e ditur nëse kompozitori është paraqitur në polici i shoqëruar nga një avokat, apo sa do të zgjasë marrja e tij në pyetje.
Ndërkohë, çështja vijon të hetohet, ndërsa disa emra të njohur të muzikës shqiptare kanë reaguar pasi janë përmendur në aludime që qarkullojnë në rrjet, duke mohuar lidhjen me materialet dhe duke paralajmëruar hapa ligjorë.
Për momentin, pretendimi se videot janë “hakeruar” mbetet versioni i Adrian Hilës dhe nuk përbën një përfundim zyrtar të hetimit. Autoritetet pritet të përcaktojnë origjinën e materialeve, mënyrën se si janë siguruar dhe personat që mund të kenë qenë të përfshirë në publikimin apo shpërndarjen e tyre.




