Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas protestave të studentëve në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me tensione, përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës.
Nga godina e dëmtuar nga zjarri e Kolegjit të Evropës, kreu i qeverisë e cilësoi situatën të vështirë, duke dënuar aktet e dhunës dhe paralajmëruar pasoja ligjore për personat përgjegjës.
“Janë orë të vështira”, u shpreh Rama, ndërsa shtoi: “Secili që ka bërë këtë katrahurë, do të paguajë”.
Gjatë reagimit të tij, kryeministri theksoi se djegia e godinës nuk ishte vepër e studentëve, ndërsa akuzoi opozitën për përpjekje për ta shfrytëzuar politikisht situatën. Ai përsëriti gjithashtu angazhimin e qeverisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe u bëri thirrje studentëve të zgjedhin dialogun.
Megjithatë, deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur protesta vijon të mbajë të tensionuar kryeqytetin, ndërsa pakënaqësitë e studentëve mbeten në qendër të vëmendjes.
Situata ka vijuar të jetë e tensionuar edhe gjatë ditës së dytë të protestës, e cila nisi përpara Ministrisë së Arsimit. Sipas raportimeve, gjatë mbrëmjes së së mërkurës, policia ka ndërhyrë në disa zona të Tiranës, duke shoqëruar persona të dyshuar për përfshirje në incidente.
Në zonën e “21 Dhjetorit”, raportohet se janë shoqëruar tre persona pas tensioneve dhe hedhjes së gurëve. Ndërhyrje policore janë regjistruar edhe pranë Rrugës së Elbasanit, ndërsa një pjesë e protestuesve janë rikthyer përpara Kryeministrisë.
Sipas informacioneve të raportuara deri në ato momente, rreth 70 persona ishin shoqëruar në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë. Ende nuk dihet se sa prej tyre janë proceduar penalisht dhe sa janë lënë të lirë pas verifikimeve.
Ndërsa pritet të mësohet se si do të vijojë situata, reagimi i kryeministrit dhe zhvillimet në terren pritet të mbeten në qendër të debatit publik, në një klimë të shoqëruar nga tensione dhe kërkesa për përgjegjësi.




