Elton Tozaj ka bërë një tjetër deklaratë të fortë gjatë një transmetimi live, duke iu drejtuar këtë herë drejtpërdrejt Andi Murrës, koreografit dhe drejtorit kreativ, ndaj të cilit ka ngritur disa pretendime gjatë ditëve të fundit.
Gjatë transmetimit, gazetari pretendoi se pas deklaratave të tij publike, Murra ishte përpjekur ta gjente personalisht. Tozaj la të kuptohej se shqetësohej për një përballje të mundshme, e cila, sipas tij, mund të shoqërohej me kërcënime apo dhunë. Megjithatë, ai nuk paraqiti prova konkrete që të vërtetonin ekzistencën e një rreziku të tillë.
Më herët, Tozaj kishte deklaruar gjithashtu se kishte mbledhur materiale që lidhen me Murrën dhe se synonte t’ua dorëzonte ato autoriteteve kompetente.
“Andi Murrën nuk e degjeneroj unë, Andi Murrën e degjeneron ligji”, u shpreh gazetari gjatë transmetimit live.
Në vijim, ai i bëri thirrje Murrës që të mos përpiqet ta kontaktojë apo ta kërkojë personalisht, por t’u drejtohet institucioneve për të dhënë sqarime lidhur me pretendimet e ngritura.
“Mos më kërko, shko jep llogari para organeve kompetente, atë shko bëj”, deklaroi Tozaj.
Gazetari ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si mund të reagojnë institucionet ndaj deklaratave të tij publike, duke përmendur edhe Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA).
“Pse duhet të sulmohem unë nga AMA apo institucionet shtetërore?”, shtoi ai.
Këto deklarata vijnë në një periudhë kur Elton Tozaj ka publikuar një sërë akuzash dhe aludimesh që përfshijnë personazhe të njohura të ekranit dhe të botës së artit, duke nxitur diskutime dhe reagime të shumta në rrjetet sociale.
Deri më tani, pretendimet e bëra nga gazetari duhen konsideruar si deklarata të tij, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagime të tjera nga Andi Murra apo sqarime nga institucionet e përmendura.




