“Më vjen shumë keq për publikun” – Luiz Ejlli reagon pas incidentit në Dhërmi...

“Më vjen shumë keq për publikun” – Luiz Ejlli reagon pas incidentit në Dhërmi...

Luiz Ejlli ka reaguar publikisht pasi koncerti i tij i planifikuar në Dhërmi nuk u zhvillua, duke ia atribuar situatën zbatimit të rregullave të reja për kufizimin e zhurmës në zonat turistike.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, këngëtari tregoi se kishte mbërritur në Dhërmi për të performuar, por aktiviteti u anulua për shkak të kufizimeve në fuqi.

“Jam në Dhërmi… Ora është 10:30 edhe nuk nihet një zë. Unë kam ardhur këtu se kam koncert, po me këtë ligjin e ri që kanë nxjerrë, i bie që nuk lejohet muzika… Sa marrim kulmin e sezonit…”

Luizi shprehu keqardhjen për të gjithë fansat që kishin ardhur për ta ndjekur nga afër, duke theksuar se vendimi nuk ishte në dorën e tij.

“Unë kam vetëm diçka për njerëzit që kanë ardhur e janë duke pritur. Më vjen me të vërtetë shumë keq për këtë që ndodhi…”

Këngëtari komentoi edhe kufirin e vendosur për nivelin e zhurmës, duke e ironizuar masën e përmendur prej 45 decibelësh.

“45 decibel… i bie që duhet me shku me i këndu në vesh secilit. Nuk e di…”

Reagimi i Luiz Ejllit ka nxitur diskutime në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë komentuar ndikimin që rregullat e reja mund të kenë te koncertet dhe aktivitetet gjatë sezonit turistik.

Nga ana tjetër, autoritetet kanë argumentuar se masat synojnë të balancojnë zhvillimin e aktiviteteve me respektimin e qetësisë publike në zonat turistike.