“Jam në vështirësi të mëdha financiare”, publikohet deklarata e Gjestit pas ndalimit...

Gjesti via Instagram
Gjesti via Instagram

Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, ka deklaruar para trupit gjykues se veprimet për të cilat po hetohet kanë ndodhur në një moment të rënduar emocional dhe nën ndikimin e afektit. Sipas dokumenteve të Prokurorisë të publikuara nga “Betimi për Drejtësi”, ai ka shprehur pendesë dhe ka kërkuar falje gjatë seancës gjyqësore.

Gjatë deklarimit të tij, Kelmendi ka thënë se është në gjendje ankthi dhe se reagimi i tij ka qenë i nxitur nga emocionet e momentit. Ai gjithashtu u ka kërkuar ndjesë gjykatës, prokurorit dhe personit të dëmtuar për situatën e krijuar.

Ndërkohë, avokati mbrojtës ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së paraburgimit, duke theksuar se nuk ka rrezik që klienti i tij të përsërisë veprën për të cilën dyshohet.

Sipas tij, nga këndvështrimi psikologjik dhe përvoja jetësore, reagimet impulsive zakonisht ndodhin vetëm një herë dhe probabiliteti që ato të përsëriten është i vogël. Avokati ka shtuar se rasti ka marrë një vëmendje të madhe nga opinioni publik dhe se Kelmendi është plotësisht i vetëdijshëm për procesin hetimor që po zhvillohet.

Mbrojtja ka përmendur gjithashtu nenin 159 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i cili lidhet me parimin e proporcionalitetit në caktimin e masave të sigurisë, duke argumentuar se paraburgimi nuk do të ishte një masë e drejtë në këtë rast.

Sipas avokatit Artan Qerkini, për dy nga veprat penale që i atribuohen Kelmendit, ligji parashikon dënime deri në një vit burgim ose alternativisht gjobë.