Të tjera pamje të reja nga përplasja mes Joz Markut dhe Eduard Kuçit janë publikuar së fundmi, duke sjellë një tjetër moment nga incidenti që prej ditësh ka tërhequr vëmendjen e rrjeteve sociale.
Pamjet e publikuara nga VoxNews tregojnë Jozin përballë Edit. Në një moment, Jozi shihet duke e goditur me shuplakë, ndërsa menjëherë më pas dëgjohet duke i thënë: “Ulu në gjunjë”.
Në vijim të videos, Edi shihet duke u ulur në gjunjë, ndërsa momenti është bërë pjesë e diskutimeve të shumta online.
Kjo sekuencë vjen vetëm një ditë pasi Edi reagoi publikisht pas publikimit të një tjetër videoje nga përplasja. Ai e shoqëroi reagimin me mesazhin: “Pabesia dhe tradhtia kanë rrëzuar edhe mbretër! 15 me 1 në konakun e tyre! Shikim të këndshëm”, duke pretenduar se ishte i vetëm përballë një grupi personash.
Pamjet e fundit të publikuara nga VoxNews zbardhin një tjetër pjesë të incidentit, ndërsa versionet e palëve vijojnë të jenë të ndryshme sa i përket asaj që ka ndodhur.




