Shokon deklarata e ish-konkurrentes të Ferma Vip: “Me Arbanën e mora përplasje personale…”

Arbana Osmani via Instagram
Arbana Osmani via Instagram

Kostana Morava ka rikthyer në vëmendje eksperiencën e saj në “Ferma VIP 3”, duke folur hapur për një prej raporteve më të komentuara gjatë qëndrimit të saj në reality show, atë me moderatoren Arbana Osmani.

Në një intervistë për Revistën Bordo, gazetarja u ndal te debatet dhe ndërprerjet e shpeshta që shoqëronin diskutimet e saj me Arbanën gjatë netëve “Prime”.

Kostana pranoi se, ndërsa ishte brenda formatit, e kishte të vështirë të kuptonte nëse përplasjet ishin thjesht pjesë e dinamikës së lojës apo nëse kishte diçka personale.

“Kur je brenda në një lojë, sinqerisht jo për justifikim, është e vështirë të bësh analizën e saktë të ‘e ka me mua apo s’e ka me mua, e ka personale apo s’e ka personale?’”, u shpreh ajo.

Por pas përfundimit të eksperiencës, Morava tregoi se ka rishikuar episodet dhe tashmë e sheh situatën ndryshe. Sipas saj, gjatë netëve Prime ajo ka ndjerë një trajtim të ndryshëm nga Arbana, sidomos kur bëhej fjalë për kohën që i jepej për të argumentuar.

“E kam ndjerë vërtet këtë, le të themi trajtimin ndryshe që më është bërë përgjatë Prime-ve nga Arbana, në mënyrë që të mos përfundoja asnjëherë fjalitë”, deklaroi Kostana.

Ajo kujtoi edhe ndërhyrje të tilla si “Jo, po ta kemi dhënë kohën” apo “Po tani mos fol më”, duke shpjeguar se për të kjo ishte veçanërisht e vështirë për shkak të eksperiencës së saj si gazetare.

Sipas Moravës, ajo nuk synonte të jepte thjesht komente të shkurtra, por të bënte një analizë më të detajuar të lojës dhe konkurrentëve.

“Unë kam nevojë për kohën time për të bërë një analizë, përderisa jemi në Prime dhe këtu të gjithë bëjnë analiza”, tha ajo.

Por pyetja më e fortë e Kostanës ishte ajo që lidhej drejtpërdrejt me moderatoren:

“Pse nuk i interesonte Arbanës që unë të shfaqesha në atë pozicion natyral timin, por dhe profesional timin?”

Morava pretendoi se ndërprerjet ndodhnin shpesh pikërisht në momentet kur ajo arrinte te pika kryesore e argumentit.

“Gjithmonë argumenti im pritej si papritur, fiks tek ajo pika ku ishte pjesa më e rëndësishme dhe anashkalohej si një gjë shumë kot dhe pa vlerë”, përfundoi ajo.

Deklaratat e Kostanës sjellin një këndvështrim të ri mbi përplasjet që u panë gjatë “Ferma VIP 3”, ndërsa deri tani Arbana Osmani nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre komenteve.