Ish-finalisti i “Big Brother VIP Albania”, Rogert Sterkaj, ka reaguar me ironi ndaj trendit të fundit të bluzave me dedikime për partnerët, duke iu bashkuar debatit që nisi pas postimit të Brikena Selmanit për të dashurin e saj, Mateo Borri.
Brikena tërhoqi vëmendjen në rrjetet sociale pasi publikoi një fotografi me një bluzë të bardhë, ku shkruhej “I’m private property of Mateo Borri”. Postimi u komentua gjerësisht, duke nxitur edhe reagime nga personazhe të tjerë të njohur.
Këtij trendi nuk i ka shpëtuar as Rogerti, i cili ka publikuar një fotografi ku Miri shfaqet me një bluzë ku shkruhet “I’m private property of Seline Bollati”.
Krahas fotos, ish-finalisti ka zgjedhur të shoqërojë publikimin me një përshkrim plot ironi, duke bërë humor me raportin mes Mirit dhe Selinës.
“Zakonisht nuk u jap vëmendje këtyre të Bigut, por këtë herë nuk rezistova dot! Më falni paraprakisht! Thjesht po ndjek trendin… Miri kaloi nga West Side Family te Seline Krevat Family!”, ka shkruar ai.
Përmes kësaj batute, Rogert Sterkaj ka ironizuar si trendin e bluzave me dedikime romantike, ashtu edhe Miri dhe Selinën, duke nxitur diskutime në rrjetet sociale.
Postimi vjen pas vëmendjes së madhe që mori fotografia e Brikenës, e cila u bë objekt debatesh për mesazhin që përcillte. Tashmë, mbetet të shihet nëse personazhet e përfshirë do të reagojnë ndaj ironisë së Rogertit.




