Armir Shahini, i njohur për publikun si Miri, ka zgjedhur t’u përgjigjet me humor kuriozitetit të ndjekësve lidhur me mënyrën se si i kalon pushimet verore.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ish-finalisti i “Big Brother VIP Albania 5” zbuloi se këtë verë ka zgjedhur Ksamilin dhe Sarandën, duke theksuar se nuk është nga ata personazhe publikë që kërkojnë vende luksoze apo privatësi të tepruar.
“Kam marrë disa mesazhe në inbox se ku i bën pushimet Miri. Miri pushimet i bën në Ksamil, i bën në Sarandë, mes njerëzve. Kujtojnë se unë shkoj në privatësi, në vendet e luksit. O njerëzit e mi, unë i bëj pushimet ja këtu mes njerëzve dhe nuk e kam problem fare”, u shpreh ai.
Me këtë deklaratë, Miri përcolli idenë se preferon atmosferën e thjeshtë dhe kontaktin me njerëzit, duke treguar se për të pushimet nuk lidhen domosdoshmërisht me luksin.
Edhe pas eksperiencës në Big Brother VIP Albania 5, këngëtari vazhdon të ruajë një marrëdhënie të afërt me publikun, duke ndarë herë pas here momente të përditshme nga jeta e tij dhe pushimet në bregdetin e jugut.




