Vrasja e rëndë e Arlinda Sylaj Zekajt në Pejë ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur reagime të shumta nga personazhe të njohur të skenës shqiptare. Mes tyre është edhe këngëtarja Dhurata Dora, e cila ka përcjellë një mesazh të fortë për institucionet përgjegjëse.
Përmes një postimi në InstaStory, artistja ka shprehur dhimbjen për humbjen tragjike të 49-vjeçares, duke ngritur shqetësimin për përsëritjen e rasteve të dhunës ndaj grave dhe pasojat e rënda që ato lënë pas.
Duke publikuar fotografinë e viktimës, Dhurata ka ndarë disa fjalë emocionuese, ku ka shprehur indinjatën për humbjen e një tjetër jete dhe dhimbjen që kjo ngjarje i ka shkaktuar familjes së Arlindës.
“E tmerrshme me marrë lajmin për vrasjen e Arlindës. Edhe një jetë e humbur, edhe një familje që duhet me jetu me një dhimbje të papërballueshme. Po më dhemb dhe më frikëson fakti që raste të tilla po përsëriten”, ka shkruar këngëtarja.
Përveç ngushëllimeve për familjen dhe të afërmit e viktimës, artistja u ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar masa konkrete dhe reagim të menjëhershëm ndaj rasteve të dhunës dhe kërcënimeve.
“Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe të dashurve të Arlindës. Ju bëj thirrje institucioneve përgjegjëse: veproni me urgjencë. Merreni seriozisht çdo denoncim, çdo kërcënim dhe çdo kërkesë për ndihmë. Mbrojtja duhet me ardhë para se me qenë vonë!!!”, thuhet në reagimin e saj.

Dhurata Dora via Instagram Story
Mesazhi i Dhurata Dorës vjen në një kohë kur rasti tragjik i Arlindës ka rikthyer në qendër të vëmendjes rëndësinë e trajtimit serioz të çdo denoncimi për dhunë në familje.
Ngjarja ka nxitur diskutime mbi përgjegjësinë e institucioneve për të ndërhyrë në kohë dhe për të garantuar mbrojtjen e grave që përballen me dhunë apo kërcënime, me qëllim parandalimin e tragjedive të tjera.




