“Ika nga shtëpia, nuk e shoh dot babain në sy” – Blerina Matraku reagon sërish pas publikimit të videove me Adi Hilën

“Ika nga shtëpia, nuk e shoh dot babain në sy” – Blerina Matraku reagon sërish pas publikimit të videove me Adi Hilën

Blerina Matraku ka reaguar sërish pas publikimit të videove private ku shfaqet me kompozitorin Adrian Hila, duke folur këtë herë për pasojat që situata ka sjellë në jetën e saj, familje dhe karrierë.

Në një reagim të gjatë, këngëtarja i është drejtuar drejtpërdrejt Hilës, duke pretenduar se situata e ka detyruar të largohet nga shtëpia dhe se po përballet me pasoja të rënda në raportin me familjarët.

“Të bësh një vajzë që të mos e shohë dot babain e saj në sy, ta bësh atë të ikë nga shtëpia e të humbasë të vetmen gjë që ka mbetur në jetë, ‘dinjitetin’, ky është KRIM”, shkruan Matraku.

Më tej, ajo ka bërë një pretendim për martesën e Adrian Hilës, duke thënë se kompozitori i kishte deklaruar asaj se ishte i divorcuar nga bashkëshortja e tij, Klaudia.

“Të kam mbivlerësuar e hiperbolizuar, por nuk ta fal. Do t’i lë në këtë botë lotët e çdo gruaje apo vajze, o Zot, lotët e çdo fëmije, lotët e nënës time, të Klaudias, për të cilën thoje ‘jam i divorcuar’, lotët e vajzave të tua”, shprehet ajo.

Një pjesë tjetër e reagimit lidhet me marrëdhënien profesionale mes tyre. Matraku mohon që projektet muzikore t’i jenë ofruar në këmbim të marrëdhënies personale me Hilën, duke pretenduar se ka paguar për punën e tij.

“Unë nuk kam vuajtur kurrë për emër, nuk jam këngëtarja e studios tënde, unë të kam paguar me gjak për çdo këngë e projekt”, shkruan ajo.

Këngëtarja tregon gjithashtu se për të përballuar jetesën ka punuar paralelisht në disa vende, përfshirë shërbimin ndaj klientit dhe përkthimet. Sipas saj, situata e krijuar ka ndikuar tashmë edhe në karrierën e saj muzikore.

“Imazhi im është përdhosur dhe unë nuk kam sy e faqe të dal para asnjë individi, para asnjë familjari e para askujt”, shkruan Matraku, duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve ndaj personave që ajo i konsideron përgjegjës për publikimin dhe shpërndarjen e materialeve private.

Në reagimin e saj të parë, Matraku kishte marrë përgjegjësi për veprimet e saj dhe u kishte kërkuar falje bashkëshortes dhe vajzave të Adrian Hilës.

Në fund, këngëtarja ka kërkuar pak kohë për t'u rikuperuar emocionalisht përpara se të vendosë për hapat ligjorë që do të ndërmarrë.

“Më lini vetëm pak sa të marr veten, për të raportuar apo proceduar. Ndjesë, situata është tragjike”, përfundon ajo.